Kreu

Palace Hotel & SPA

Palace Hotel & SPA

Palace Hotel & SPA

Vendndodhja:Mitrovicë, Kosovë
Tipologji: Ndërtesë hotelerie
Autor|ët:L&A Architects
Viti i realizimit:2019-2020
Bashkëpunëtorët:Arion Thaqi, Labinot Boçolli, Albina Makica, Rinor Shabani , Haki Raqi, Arban Shala, Burim Shahini, Alban Shala
Ka ndërtesa të cilat, me kalimin e viteve, pushojnë së qeni thjesht pjesë fizike e qytetit dhe bëhen pjesë e kujtesës së tij. Brenda mureve të tyre ruhen histori, takime dhe përjetime që kalojnë nga një brez te tjetri, duke u dhënë atyre një identitet që koha nuk e zbeh. Pikërisht respekti për këtë trashëgimi udhëheq punen disa vjeçare të L&A Architects, studio e themeluar në vitin 2013 nga Labinot Boçolli dhe Arion Thaqi. E udhëhequr nga kultura e bashkëpunimit dhe kërkimi i vazhdueshëm për kreativitet e cilësi, studioja ka një portfolio që përfshin nga projektet rezidenciale dhe komerciale në Kosovë e deri te ndërtesat komplekse të zhvilluara për tregun evropian. Çdo projekt trajtohet si një proces ku funksioni, forma dhe përvoja njerëzore ndërthuren në mënyrë organike, me synimin për të krijuar arkitekturë që ruan vlerën e saj me kalimin e kohës. Palace Hotel & SPA në Mitrovicë është një nga ikonat urbane të qytetit dhe një ndërtesë që prej dekadash ka qenë pjesë e jetës së tij publike dhe shoqërore. Vëllimet e theksuara gjeometrike dhe ritmi i fasadës i kanë dhënë hotelit një identitet të dallueshëm në siluetën urbane të qytetit të Mitrovicës. Përtej funksionit hotelier, ai ka shërbyer si vend takimesh, ceremonish dhe ngjarjesh të rëndësishme, duke u shndërruar në një pikë referimi të memories kolektive të qytetit. Kjo histori u bë pikënisja e projektit, me synimin për ta ruajtur karakterin e ndërtesës dhe për ta përshtatur atë me standardet bashkëkohore të mikpritjes.
Koncepti i enterierit ndërtohet me idenë e balancës ndërmjet elegancës dhe komoditetit. Organizimi i hapësirave krijon një përvojë unike për vizitorin, ndërsa materialet,teksturat dhe ndriçimi ndërtojnë një atmosferë qetësie dhe mirëqenieje. Dhomat e hotelit janë konceptuar si hapësira intime dhe relaksuese, sallat e konferencave ofrojnë fleksibilitet dhe funksionalitet për aktivitete profesionale, ndërsa zona SPA dhe fitness krijojnë ambiente të dedikuara për mirëqenie. Restorantet plotësojnë këtë përvojë përmes një dizajni të rafinuar, krijojnë një atmosferë mikpritëse. Për L&A Architects, ky projekt ngrit përgjegjësinë për të ndërhyrë në një ndërtesë që zë një vend të rëndësishëm në identitetin urban të Mitrovicës. Procesi i projektimit ka kërkuar një lexim të kujdesshëm të karakterit ekzistues të ndërtesës dhe interpretim modern të hapësirave, duke ruajtur frymën e hotelit dhe duke e pasuruar atë me një përvojë të re për vizitorët. Palace Hotel & SPA dëshmon se arkitektura fiton vlerë afatgjatë kur respekton kujtesën e një vendi, ndërsa krijon kushte që ai të vazhdojë të jetë pjesë aktive e jetës së qytetit edhe për brezat që do të vijnë.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL