Ndërtimi i Muzeut të Edukimit ka një histori shumëvjeçare dhe simbolikë të jashtëzakonshme për komunitetin dhe për zhvillimin e arsimit në komunën e Suharekës. Kjo ndërtesë ka qenë shkolla e parë zyrtare. Ajo
është ndërtuar në vitin 1928 dhe ka pasur vetëm një kat.
Më pas ndërtesa u zgjerua duke e shtuar edhe me një
kat dhe si e tillë shërbeu për shumë vite. Kjo ndërtesë
shkollore u kthye në një simbol të rëndësishëm të rezistencës dhe rritjes së vetëdijës kombëtare, kulturore
dhe shoqërore. Mësues nga Kosova dhe Shqipëria kanë
kontribuar për të krijuar dhe frymëzuar një shoqëri të arsimuar, që ka mbrojtur dhe ndërtuar vendin.
Struktura në formë kubi, simbolizon rregullin në hapësirë dhe e bën ndërtesën të qëndrueshme. Shtyllat dhe
trajektoret konstruktive tregojnë vlera të rëndësishme
të tilla si bashkësi, sistem, hierarki, përforcim, inerci,
stabilitet dhe strukturë. Kjo paraqitje simbolike përcjell
mesazhin se nëpërmjet rregullit dhe sistemit të një shoqërie, që ruan një hierarki të qartë, mund të ndërtojmë
struktura shoqërore të qëndrueshme dhe funksionale.
Ky objekt ia ka dalë të krijojë një dialog ndërmjet materialeve të vjetra të fasadës ekzistuese dhe materialeve
të reja prej betoni natyral. Guri natyral dhe betoni janë
dy materiale të forta dhe të durueshme. Dialogu ndërmjet tyre përcjell simbiozën e strukturave arkitektonike
të së kaluarës dhe të tashmes, duke treguar vlerën e
trashëgimisë kulturore dhe vazhdimësinë e zhvillimit të
shoqërisë
Fotografia: Shpëtim Berisha
Fotografia: Shpëtim Berisha
Kjo strukturë ka një spektër të gjerë qëllimesh dhe
funksionon në të 365 ditët e vitit. Galeria e jashtme dhe
rampa e ndërtesës sigurojnë një mjedis të hapur dhe
lëvizshmëri të pandërprerë për vizitorët, të cilët mund të
shohin veprat e artit të ekspozuara në vitrinat e jashtme.
Po ashtu, kinemaja verore me dy skena e gjallëron
shumë jetën kulturore të qytetit, duke ofruar mundësi
të shumta për shfaqje të ndryshme dhe performanca
cilësore.Mjedisi rrethues i ndërtesës është një element i qenësishëm, që i jep vitalitet këtij objekti. Vendosja e saj në
një zonë të mbrojtur nga zhurmat urbane është zgjedhja e duhur. Qarkullimi i ujit nga shatërvani në qendër
ndikon në mikroklimën e mjedisit të saj, duke e bërë
këtë ndërtesë jo vetëm tërheqëse vizualisht, por edhe
një mjedis të këndshëm për të qëndruar dhe çlodhur.
Mjediset e brendshme janë projektuar për shfaqje të
arteve të ndryshme bashkëkohore dhe përdorimi i materialeve dhe ngjyrave të ngjashme me strukturën e objektit të jashtëm plotëson më së miri këtë cikël simbiotik
të kompozimit arkitektonik. Muzeu i Edukimit është jo
vetëm një pjesë e historisë së arsimit, por gjithashtu një
simbol i arritjeve të komunitetit dhe një shembull se si
një strukturë arkitekturore mund të përcjellë mesazhe
dhe simbolika të rëndësishme për shoqërinë.
Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.