Shkolla e Turizmit
Shkolla e Turizmit
Vendndodhja:Prishtinë, Kosovë
Tipologji:
Ndërtesë Edukimi
Autor|ët:URBAN PLUS SHPK, Ilir Gjinolli, Arbenita Ymeri Rexhepi, Ardita Byci Jakupi
Viti i realizimit:2023-2025
Bashkëpunëtorët:Ibrahim Krasniqi, Arianisa Shehu, Dardana Sadiku, Edra Gjinolli ,Arbër Muçaj, Gani Latifi, Agron Pajaziti, Vehbi Duraku

Shkolla është vendi ku ndërtohen profesionistët e së nesërmes, ndërsa arkitektura ka fuqinë të formësojë mënyrën se si ata mësojnë, bashkëpunojnë dhe rriten. Mbi këtë bindje është ndërtuar eksperienca shumëvjecare e URBAN PLUS si studio e konsoliduar arkitekture që ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e arkitekturës së institucioneve arsimore. Përmes proceseve gjithpërfshirëse dhe bashkëpunimit të ngushtë me nxënësit, mësimdhënësit dhe komunitetet lokale, studioja krijon mjedise mësimore që nxisin, bashkëpunimin dhe kreativitetin. Kjo filozofi është vlerësuar me çmime dhe njohje profesionale për kontributin në inovacionin social.
Koncepti i shkollës profesionale të turizmit, frymëzohet nga bindja se procesi i të nxënit bëhet më i vlefshëm kur zhvillohet në hapësira që i ngjajnë procesve të jetës reale. Shkolla është konceptuar si një mikroqytet edukativ, ku mësimi nuk kufizohet brenda klasës, por zhvillohet në një rrjet ambientesh që simulojnë botën e punës. Frymëzuar nga pedagogjitë bashkëkohore të të nxënit aktiv, projekti krijon një mjedis ku teoria dhe praktika ndërthuren natyrshëm, duke e bërë arkitekturën pjesë aktive të procesit edukativ.
Organizimi hapësinor ndërton një ritëm të ngjashëm me atë të industrisë së turizmit dhe shërbimeve. Klasat janë plotësuar me laboratorë, punëtori, kuzhina profesionale, restorant, ambiente që simulojnë dhomat e hoteleve, recepsione dhe zyra informative, duke krijuar një përvojë mësimore të afërt me realitetin profesional. Hapësirat janë fleksibile, të adaptueshme dhe të projektuara për të nxitur bashkëpunim, komunikim dhe zhvillimin e aftësive praktike, duke e kthyer ndërtesën në një mjedis që evoluon së bashku me procesin e të nxënit.
Për URBAN PLUS, ky projekt përfaqëson një vizion mbi mënyrën se si arkitektura mund të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e komunitetit. Shkolla nuk konceptohet si një institucion i mbyllur, por si një infrastrukturë publike që krijon lidhje të vazhdueshme me qytetin. Funksione si restoranti dhe hapësirat e përbashkëta janë të hapura edhe për komunitetin, duke e shndërruar ndërtesën në një vend takimi, shkëmbimi dhe bashkëpunimi. Në këtë mënyrë, projekti dëshmon se arkitektura arsimore mund të tejkalojë funksionin e saj tradicional dhe të bëhet një katalizator për zhvillim social, ekonomik dhe kulturor, duke ndërtuar ura të qëndrueshme ndërmjet dijes, profesionit dhe jetës së përditshme.