Kreu

Renovimi infrastrukturor dhe artistik i tunelit të Kurrizit

Renovimi infrastrukturor dhe artistik i tunelit të Kurrizit

Renovimi infrastrukturor dhe artistik i tunelit të Kurrizit

Vendndodhja:Prishtinë, Kosovë
Tipologji: Renovimi i hapësirës publike
Autor|ët:Ajhan Bajmaku
Viti i realizimit:2023-2025
Bashkëpunëtorët:Ajhan Bajmaku,Bashkim Shala , Bukurije Berisha, Jetmir Berisha, Mentor Kryeziu, Burim Shahini , Mimoza Shahini, Safete Veliu, Verona Rrustemi, Lira Abyli, Krenar Halabaku, Dorris Manxhuka, Agim Osaj, Bekim Llalloshi
Qytetet jetojnë përmes hapësirave që mbartin kujtesën e tyre. Ato ruajnë gjurmët e kohës, historitë e njerëzve dhe momentet që formësojnë identitetin kolektiv. Pikërisht në këtë marrëdhënie mes kujtesës dhe hapësirës e zhvillon krijimtarinë e saj DIEFORM, një qendër kërkimore ndërdisiplinore që eksploron arkitekturën eksperimentale, dizajnin dhe artin bashkëkohor përmes një procesi ku kërkimi dhe edukimi e ushqejnë vazhdimisht njëri-tjetrin. DIEFORM e kupton arkitekturën është si një proces reflektimi, ku çdo ndërhyrje lind nga analiza kritike e kontekstit dhe synon të krijojë përvoja me vlerë afatgjatë për qytetin dhe komunitetin. Kurrizi i Dardanisë, një nga vendet ikonike të Prishtinës, përfaqëson një pjesë të pazëvendësueshme të kujtesës urbane të qytetit. Për dekada me radhë ai ka qenë pikë takimi, vend orientimi dhe skenë e jetës shoqërore të shumë brezave. Gjatë viteve '90, në rrethana represioni, karakteri i tij nëntokësor krijoi mundësinë që kultura dhe jeta sociale të gjenin strehë, duke e shndërruar këtë hapësirë në një simbol të rezistencës kulturore. Koncepti i projektit lindi nga dëshira për ta rikthyer këtë kujtesë në jetën bashkëkohore të qytetit.
Ndërhyrja vë në dukje një dialog të vazhdueshëm mes shtresave historike dhe jetës bashkëkohore. Materialet ekzistuese ruhen dhe ripërdoren si bartëse të kujtesës, ndërsa strukturat modulare dhe instalacionet interaktive sjellin mundësi të reja përdorimi. Hapësira organizohet si platformë fleksibile për artin, kulturën dhe jetën publike, duke ruajtur karakterin autentik të vendit dhe duke e përshtatur atë me ritmin e qytetit të sotëm. Çdo element i ri respekton identitetin ekzistues dhe ndërton një vazhdimësi të natyrshme mes së kaluarës dhe së tashmes. Për DIEFORM, ky projekt përfaqëson një reflektim mbi përgjegjësinë që arkitektura ka ndaj kujtesës së qytetit. Procesi krijues u udhëhoq nga bindja se hapësirat me kujtesë historike mund të fitojnë jetë të re pa humbur karakterin që i bën të veçanta. Kurrizi dëshmon se ndërhyrja bashkëkohore fiton kuptim kur ndërton vazhdimësi me historinë e vendit dhe krijon kushte që jeta urbane të zhvillohet mbi memorien kolektive.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL