Kreu

The Tiny House

The Tiny House

The Tiny House

Vendndodhja:Suhareke, Kosovë
Tipologji: Shtëpi Malore
Autor|ët:Shpëtim Berisha Architect
Viti i realizimit:2021-2025
Bashkëpunëtorët:Shpëtim Berisha, Arsim Rapuca, Alma Leti Berisha
Arkitektura nuk ka nevojë të flasë me zë të lartë, mjafton të dëgjojë natyrën dhe të flas me ritmin e saj. Mbi këtë bindje është ndërtuar puna profesionale e Shpëtim Berishës, arkitekt me mbi njëzet e pesë vjet përvojë, i njohur për qasjen e tij analitike dhe filozofike ndaj arkitekturës. Veprat e tij frymëzohen nga një lexim i ndjeshëm i vendit, klimës dhe relievit, duke e trajtuar arkitekturën si vazhdimësi të natyrshme të mjedisit. Në vitin 2010 u nderua me Çmimin e Arkitekturës nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, ndërsa në vitin 2024 u nominua për Gubbio Prize, duke konfirmuar vlerësimin e krijimtarisë së tij edhe në skenën ndërkombëtare. Krahas praktikës profesionale, ai ka kontribuar vazhdimisht në mendimin kritik përmes shkrimeve mbi arkitekturën dhe filozofinë e hapësirës. The Tiny House është rezultat i një ideje që e vendos natyrën në qendër të procesit të projektimit, duke e trajtuar arkitekturën si pjesë të saj. E pozicionuar në një lartësi prej 1,670 metra mbi nivelin e detit, në zemër të Parkut Kombëtar të Dellocit në Suharekë, shtëpia u konceptua si një strehë që i flet natyrës pa e transforuar atë dhe e bën pjesë aktive të përvojës së banimit.
Me një sipërfaqe prej vetëm 102 m², projekti demonstron se cilësia e arkitekturës nuk përcaktohet nga madhësia, por nga marrëdhënia që ndërton me vendin. Shtëpia ndjek me kujdes konfigurimin natyror të terrenit, duke ruajtur të paprekur gjeomorfologjinë dhe vegjetacionin ekzistues; gjatë ndërtimit nuk u pre asnjë pemë apo dushk. Hapjet e mëdha orientohen drejt panoramës së Fushës së Dukagjinit dhe vargmaleve përreth, duke e shndërruar dritën dhe horizontin në elementë të hapësirës së brendshme. Struktura prej çeliku dhe sistemi modular i parafabrikuar mundësuan një ndërhyrje minimale në terren, ndërsa veshja me tone antraciti lejon që ndërtesa të shkrihet natyrshëm me pyllin përreth. The Tiny House përfaqëson një sintezë të filozofisë projektuese të Shpëtim Berishës, me çka dëshmon se edhe arkitektura bashkëkohore mund të jetë një akt respekti ndaj natyrës, duke mundësuar që me ndërhyrje të vogla, të përjetohet ajo në bukurinë e saj. Ai punon me bindjen se qëndrueshmëria nuk matet vetëm me teknologjinë apo materialet, por me aftësinë për të kuptuar karakterin e vendit dhe për të ndërtuar në harmoni me të. Kjo shtëpi është një vend reflektimi, ku relievi, drita dhe heshtja bashkohen në një përvojë të vetme.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL