Protec Showroom
Protec Showroom
Vendndodhja:Gjilan, Kosovë
Tipologji:
Ndërtesë Shërbimi dhe Administrate
Autor|ët:Arbër Shala
Viti i realizimit:2022-2024
Bashkëpunëtorët:Arbër Shala, Leonita Krasniqi, Bea Vokshi , Kreshnik Boshnjaku , MeritaTERM Sh.P.K

Pak elemente në arkitekturë e kanë fuqinë ta transformojnë hapësirën si drita. Ajo ju jep mureve jetë dhe karakter. Arbër Shala Architects (ASHA), studio me seli në Prishtinë, e themeluar në vitin 2004 nga arkitekti Arbër Shala, ka zhvilluar një gjuhë arkitekturore bashkëkohore të karakterizuar nga minimalizmi, materialet me jetëgjatësi dhe një ekuilibri i kujdesshëm mes formës dhe funksionit. Puna e studios përfshin projekte rezidenciale, komerciale, institucionale dhe shëndetësore, e vlerësuar përmes nominimeve për Aga Khan Award for Architecture dhe EU Mies Award. Përmes platformës ASHA ADW, studioja kontribuon gjithashtu në edukimin dhe zhvillimin e kulturës arkitektonike përmes diskutimeve dhe iniciativave profesionale.
Koncepti i “PROTEC Showroom” u inicua duke njohur identitetin e kompanisë PROTEC dhe qasjen e saj ndaj arkitekturës. PROTEC kërkonte një hapësirë që të funksiononte si një manifestim i cilësisë dhe teknologjisë së materialeve që përfaqëson. Ideja u zhvillua nga struktura ekzistuese e ndërtesës, veçanërisht galeria qendrore, e cila u shndërrua në boshtin organizues të projektit dhe në elementin që lidh në mënyrë organike të tre nivelet.
Arkitektura organizohet si një rrugëtim i pandërprerë nëpër nivele, ndërsa galeria qendrore krijon një bosht vertikal që orienton lëvizjen dhe shpërndan dritën natyrore në të gjithë hapësirën. Ekspozimi organizohet sipas një logjike të qartë: produktet nga plastika vendosen në përdhesë, sistemet e aluminit dhe fasadat në katin e parë, ndërsa administrata zë katin e fundit, e lidhur me një tarracë për aktivitetet sociale të kompanisë. Shkallët metalike shërbejnë si një strukturë skulpturore që ndërton ritmin e brendshëm të hapësirës dhe forcon identitetin e projektit. Materiale janë kryesisht neutrale dhe krijojnë sfondin mbi të cilin produktet marrin rolin kryesor, ndërsa ndriçimi është projektuar për të garantuar orientim dhe një përvojë ekspozimi të këndshme.
Për Arbër Shala Architects, ky projekt ndërthur identitetin e kompanisë dhe filozofinë projektuese të studios një tërësi të unifikuar. PROTEC Showroom ka shërbyer si një mundësi për të afirmuar parimet që karakterizojnë punën e studios: minimalizmin ekspresiv dhe përdorimin e dritës si element udhërrëfyes. Projekti dëshmon se arkitektura mund të shndërrohet në mjet komunikimi, duke i dhënë formë identitetit të një marke përmes hapësirës, materialit dhe dritës.