Punimi i këtij projekti është konceptuar me synimin
për të sjellë një arkitekturë bashkëkohore, por që me
formën e saj të përcjellë mesazhe mbi trashëgiminë
traumatike social-politike në vendin tonë, me përgjegjësinë për t’iu qasur të ardhmes të mirëinformuar ndaj
të shkuarës. Ritmi i fasadës në raport me dritën, kupola
e risjellë përmes mbivendosjes së unazave tetëkëndore,
minaret si elemente vertikale, janë konceptuar si interpretime gjeometrike të traditës islame, duke përdorur
materiale bashkëkohore. Këto elemente simbolizojnë
triumfin e dimensionit shpirtëror, kundrejt shtrëngimeve
të sistemeve politike.
Konceptimi i hapësirës së brendshme synoi krijimin e
përjetimeve që nxisin marrëdhënien ndërmet Qenies
njerëzore dhe Krijuesit. Kjo prani është e kontrolluar me
kujdes, duke shërbyer si urë lidhjeje midis hapësirës së
brendshme dhe asaj të jashtme. Hyrja e dritës është
me qëllim ruajtjen e një burimi jo të drejtpërdrejtë, qe
thekson ndjesinë për kohën. Ftesa për meditim, përbën
aspektin themelor të kësaj qasjeje, duke përfshirë disa
nga elementet kyçe në kompozimin e hapësirave të
xhamisë. Projekti i Xhamisë së Ballies ishte një mundësi
e rëndësishme në zhvillimin e aftësive tona dhe ndërmarrjen e sfidave të mëtejshme në mjedise profesionale, në marrëdhënie me klientë dhe aktorë të tjerë.
Fotografia: Besart Cani
Fotografia: Besart Cani
Me rëndësi të veçantë jo vetëm si projekti ynë i parë i
pavarur, por edhe me peshën e historisë së një prej
xhamive më të njohura dhe emblematike të Elbasanit
të vjetër,
Xhamia e Ballies u kthye në detyrë të rëndësishme me
përgjegjësi të lartë, që kërkonte përgatitje të mirë dhe
përqendrim në procesin e projektimit.
Të vëmendshëm ndaj jetës qytetare, hapësirës publike
të qytetit dhe me përgjegjësi ndaj një komuniteti me
ndjeshmëri të lartë shpirtërore, ky projekt kërkonte që
të gjitha detajet dhe veprimet tona të tregonin kujdes
dhe respekt ndaj trashëgimisë kulturore të kësaj zone.
Me përdorimin e materialeve cilësore dhe teknologjisë
së kohës, për të ofruar mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm për qytetarët dhe komunitetin, Xhamia e Ballies
krijon një perspektivë të re dhe vizion afatgjatë për ne,
që do të na shërbejë si model për projektet e ardhshme.
Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.