Kreu

FRAGMENTE TË ARKITEKTURËS BASHKËKOHORE SHQIPTARE

Alban Birçe(Arkitekt)

Nobus Hotel & SPA

Vendndodhja:Jonufër, Vlorë - Shqipëri
Tipologji: Hoteleri
Autor|ët:Alban Birçe
Viti i realizimit:2022
Bashkëpunëtorët:Rezart Pogaçe, Imelda Birçe
Fotografia: Leonit Ibrahimi & Park Studios
Nobus Hotel & SPA
Frymëzimi në krijimin e këtij projekti vjen si rrjedhojë e analizës së nevojave të porositësit, dhe krahas saj me leximin e vëmendshëm të kontekstit. Kjo ndërtesë është e lidhur pazgjidhshmërisht me terrenin dhe territorin ku është vendosur. Relievi i kodrave që nga Vlora gjarpëron drejt Orikumit, ka në krahun perëndimor një shpat të pjerrët, i cili me rritjen e kuotës, bën të mundur soditjen e Detit Jon në një kornizë natyrore, që shtrihet nga gadishulli i Karaburunit, vazhdon në Sazan, e shkon deri në Zvërnec dhe Nartë. Ky kontekst gjeografik i privilegjuar është vendndodhja e Nobus Hotel & SPA. Terreni i ndërhyrjes ndodhet në një ndërthurje kalimesh, që i ngjiten kodrës me një disnivel të konsiderueshem. Ndërtesa integrohet në këtë morfologji duke mundësuar aksesin në kate të ndryshme, në varësi të funksioneve të shërbimeve të ofruara: hotel, SPA, bar/restorant, pishinë, parking. Holli, i cili zhvillohet vertikalisht në dopio-nivel dhe mbetet i zhytur në shkëmb në tre faqe, është aksi kryesor i ndërtesës. Gjashtë metra më poshtë, në nivelin e rrugës në kahun verior, ndodhen parkimet. Aksesi drejt pishinës panoramike në anën jugore pozicionohet sipër hollit.
Fotografia: Leonit Ibrahimi & Park Studios
Fotografia: Leonit Ibrahimi & Park Studios
Këto hyrje lidhen vizualisht me njëra tjetrën me brezare të harkuara prej guri, duke i dhënë vazhdimësi relievit dhe bimësisë mesdhetare ekzistuese. Volumetria e objektit është rezultat i ndërthurjes gjeometrike të disa prizmave që ndjekin ritmikën e brezareve dhe krijojnë një formë që integrohet me terrenin në mënyrë jo invazive. Nga këto sekuenca rrjedhin fasada të zhveshura nga pjesët ‘e tepërta’, me referenca stilistike të arkitekturës racionaliste, duke preferuar pastërtinë e formës dhe volumet e skalitura. Rezultati është maksimizimi i ndjenjës së privatësisë të përdoruesve si dhe krijimi i efektit dylbi, duke rritur perspektivën e pamjes nga brenda jashtë. Përzgjedhja e materialeve është pasojë e një faktori ekzistues; fasada e bardhë minimizon impaktin e diellëzimit, parapetet e xhamit lejojnë fluksin e shikimit nga brenda jashtë dhe nuk ndërhyjnë në esencialitetin e fasadës. Taracat janë realizuar me gurët e nxjerrë nga gërmimi dhe materialet e dyshemeve si brenda dhe jashtë objektit rimarrin po ato tonalitete ngjyrash lokale. Në thelb ky projekt është përzgjedhur nga studioja jonë e tërhequr nga kompleksiteti i sfidave dhe kërkesave që ka pasur, ardhur këto si nga porositësit ashtu edhe nga territori ku ndodhet.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL