Kreu

FRAGMENTE TË ARKITEKTURËS BASHKËKOHORE SHQIPTARE

Kostandin Jano(Arkitekt)

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit

Vendndodhja:Kukës - Shqipëri
Tipologji: Aeroport, Infrastrukturë
Autor|ët:Kostandin Jano, Dhimitri Jano, Bleona Dhamo, Mariol Hoxha
Viti i realizimit:2020
Bashkëpunëtorët:Dhimitri Papa, Armeda Gramos, Hydroenergy, Elteknik
Fotografia: Leonit Ibrahimi
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit
“Dikur porta madhështore drejt lirisë, sot aeroportet janë shndërruar në zona ku përjetohet mërzi dhe gjendje terrori, ndonëse mbetet intensiteti emocional i nisjes”. - The Architectural Review Një aeroport mund të përkufizohet si zonë neutrale, e nevojshme për të drejtuar udhëtarët që mbërrijnë apo që nisen, për në pikëmbërritjen e tyre. Nga ky këndvështrim, aeroporti është ndërtesa e parë dhe e fundit, që dikush prek kur viziton ose largohet nga një vend. Për ata që udhëtojnë për kohë të lirë, një aeroport është fillimi dhe fundi i pushimeve të tyre dhe si i tillë ka një rol të rëndësishëm në tërë përvojën që krijohet për vendin ku ishin. Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, i quajtur shkurtimisht edhe Aeroporti i Kukësit, ndodhet rreth 3.5 km në jug të Kukësit, në Shqipëri. Në vitin 2016, qeveria shqiptare i dha lejen për pritjen e pasagjerëve ndërkombëtarë. Aeroporti iu nënshtrua një ndërhyrjeje rindërtimi, e cila përfshinte ndërtimin e një terminali të ri, të një kulle të re kontrolli, si dhe zgjerimin e platformës dhe pistës, duke u vënë në punë, në prill të vitit 2021. Ky është aeroporti i dytë i ndërtuar në Shqipëri.
Fotografia: Leonit Ibrahimi
Fotografia: Leonit Ibrahimi
Kalimi i pasagjerëve drejt terminalit, bëhet përmes fasadës veriore (nisjet) dhe jugore (mbërritjet). Të dy fasadat kryesore janë ndërtuar me mure xhami me transparencë maksimale, që ofrojnë pamje optimale nga holli për nisjet apo mbërritjet e pasagjerëve, si dhe një komunikim të harmonishëm me peizazhin e bukur natyror të Kukësit. Ky trajtim gjithashtu ka bërë që të ketë një ndikim minimal të ndërtesës mbi mjedisin, ndërkohë që brenda tij shmang ndjesinë e të qenit i izoluar. Tre janë komponentët kryesorë që përcaktojnë pamjen e jashtme të terminalit të Aeroportit të Kukësit: paretet prej xhami, që ofrojnë një dialog të pandashëm midis pjesës së brendshme dhe të jashtme të ndërtesës, struktura e çelikut dhe çatia e pjerrët industriale. Kjo e fundit përbën një element identifikues për ndërtesat e terminalit të aeroportit, e cila i jep volumetrisë një formë aerodinamike. Ekipi i projektimit u përpoq të sillte në gjuhë arkitektonike, qetësi dhe unitet, ndërkohë që ndërtesa lejon zgjerime të ardhshme, falë modularitetit strukturor të përdorur mbi një skemë të qartë funksionale. Në portofolin e studios sonë të projektimit, Aeroporti i Kukësit zë një vend të veçantë jo vetëm për tipologjinë, e cila ka qenë risi për ne, por edhe për sfidën e madhe të detyrës së projektimit, kur arkitekturës i duhet të japë një përgjigje kundrejt kushtëzimeve tepër strikte funksionale, teknike dhe financiare.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL