Etnomania
Etnomania
Vendndodhja:Prishtinë, Kosovë
Tipologji:
Boutique Hotel
Autor|ët:Valdete Pacolli, Adelina Tahiri Nela
Viti i realizimit:2023
Bashkëpunëtorët:ENG Group

Çdo vend mbart kujtime që nuk ruhen vetëm në ndërtesa, por edhe në mënyrën se si ato vazhdojnë të jetohen. Mbi këtë bindje është ndërtuar përvoja e LOCUS, platformë e hulumtimit, dizajnit dhe arkitekturës, e themeluar në Prishtinë në vitin 2019. Studioja zhvillon projekte që ndërthurin dizajnimin dhe qëndrueshmërinë, duke krijuar hapësira bashkëkohore përmes një procesi që është vlerësuar me çmime në platforma dhe ngjarje ndërkombëtare si SHARE Architects Awards, BIG SEE, Kongresi Botëror i Arkitektëve dhe Bienalja e Arkitektëve të Kosovës. Angazhimi i studios shtrihet edhe përtej projektimit, përmes kontributit në iniciativa që promovojnë ndërgjegjësimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
ETNOMANIA është transformimi i një shtëpie tradicionale në lagjen historike Tophane të Prishtinës në një butik hotel, ku arkitektura bëhet mjet për të ruajtur dhe riaktivizuar kujtesën e vendit. Projekti e trajton ndërtesën si një histori që vazhdon të shkruhet. Frymëzuar nga trashëgimia kulturore shqiptare, ndërhyrja ri-interpreton motive etnografike si qilimi, kasnaku, funi dhe kornizat tradicionale të dritareve, duke i përkthyer ato në një gjuhë bashkëkohore që ruan autenticitetin.
Në zemër të projektit qëndron ideja e mikpritjes si pjesë e identitetit kulturor shqiptar. ETNOMANIA synon të jetë më shumë se një hotel; ajo është një vend ku vizitorët përjetojnë gastronominë, artin dhe mjeshtërinë shqiptare. Kopshti i brendshëm krijon një strehë të qetë në dinamikën e ritmit urban të Prishtinës, ndërsa aneksi i realizuar me strukturë çeliku të çmontueshme dhe të ripërdorshme, qëndron krahas me ndërtesën historike duke i sjellë ndërtesës një gjuhë të freskët bashkëkohore. Materialet neutrale të hapësirave të brendshme lejojnë që elementet artizanale dhe tradicionale të marrin rolin kryesor, ndërsa korridoret dhe hapësirat e përbashkëta shndërrohen në galeri ku promovohen artistët dhe krijuesit vendorë.
Për LOCUS, ETNOMANIA përfaqëson një shembull se si arkitektura mund të krijojë vlerë kulturore dhe sociale njëkohësisht. Adaptimi i ndërtesës është realizuar me ndërhyrje minimale, duke ruajtur në masën më të madhe strukturën ekzistuese dhe duke shmangur demolimin e panevojshëm. Projekti dëshmon se ruajtja e trashëgimisë nuk nënkupton ngrirjen e saj në kohë, por aftësinë për t'i dhënë funksione të reja që e mbajnë të gjallë. Në këtë mënyrë, ETNOMANIA bëhet një urë ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes, ku arti dhe mikpritja bashkohen për të ndërtuar një përvojë autentike të qytetit dhe kulturës së tij.