Marigona Tower
Marigona Tower
Vendndodhja:Prishtinë, Kosovë
Tipologji:
Ndërtesë shumëfunksionale
Autor|ët:Gzim Baholli, Vlora Rama Baholli
Viti i realizimit:2019-2024
Bashkëpunëtorët:Armend Emini, Fatos Rexhepi, Lorent Hasangjekaj, Aziz Sogujeva , ASM studio, Alban Fazliu, Arber Canhasi Ali Krasniqi Vullnet Sefaja Besnik Beqiri Hyzri Durmishi Kushtrim Kërnja Xhemail Shabani

Ashtu si natyra e gjen harmoninë mes qëndrueshmërisë dhe lëvizjes së vazhdueshme, edhe arkitektura bëhet domethënëse kur ndërton një ekuilibër të natyrshëm mes funksionit, emocionit dhe identitetit të vendit. Mbi këtë filozofi është zhvilluar edhe puna e ARCHIDES, studio e themeluar në vitin 2000 nga arkitektët Gëzim Baholli (Giza) dhe Vlora Rama Baholli (Lola). Për më shumë se dy dekada, studioja ka ndërtuar një identitet të bazuar në hapësira të projektuara me cilësi si rezultat i marrëdhënieve të qëndrueshme me klientët. ARCHIDES zhvillon projekte që i përgjigjen mënyrës moderne të jetesës, pa humbur lidhjen me materialet natyrore dhe përvojën njerëzore të hapësirës. Kjo qasje i ka mundësuar studios të realizojë një gamë të gjerë projektesh në Kosovë dhe të licencohet për projektimin e markave ndërkombëtare hoteliere si Four Points by Sheraton dhe Courtyard by Marriott, duke dëshmuar standarde të larta profesionale dhe besueshmëri në tregun ndërkombëtar.
Koncepti i Marigona Tower është gjeneruar nga ambicia për t'i dhënë Prishtinës një pikë të re orientimi urban, një ndërtesë që do të përfaqësonte zhvillimin vertikal të qytetit dhe aspiratën e tij drejt një identiteti bashkëkohor. Synimi ishte krijimi i një kulle që dialogon me qytetin dhe bëhet pjesë e ritmit të përditshëm të jetës urbane. Procesi projektues u përqendrua në kërkimin e përmasave dhe proporcioneve që do t'i jepnin ndërtesës një prani të fuqishme, por njëkohësisht një elegancë vizuale. Kompozimi organizohet përmes një dallimi të qartë ndërmjet podiumit dhe kullës. Podiumi ndërton marrëdhënien me hapësirën publike, duke krijuar një shkallë më njerëzore dhe më mikpritëse, ndërsa kulla ngrihet mbi të me një gjuhë të pastër me ritëm të kontrolluar dhe një siluetë të lehtë. Fasada prej xhami është trajtuar si membranë që reflekton dritën, qiellin dhe ndryshimet e qytetit gjatë ditës, duke i dhënë ndërtesës një identitet dinamik.
Materialet bashkëkohore ndërtojnë një arkitekturë që kërkon të jetë pjesë e qytetit. Çdo vendim projektues është orientuar nga bindja se ndërtesat duhet të krijojnë marrëdhënie me njerëzit dhe të kontribuojnë në cilësinë e hapësirës urbane.
Për ARCHIDES, Marigona Tower përfaqëson një moment të rëndësishëm në evolucionin e studios, duke sintetizuar përvojën e akumuluar ndër vite në trajtimin e projekteve komplekse. Më shumë se një kullë, projekti shpreh mënyrën se si studio e kupton arkitekturën: si një disiplinë që krijon dialog me qytetin dhe përmirëson përvojën e jetës urbane. Në këtë kuptim, Marigona Tower nuk synon të mbetet pjesë e kujtesës së Prishtinës si një simbol i transformimit të saj bashkëkohor.