Kreu

Erosion Buzë Mustaqe Showroom

Erosion Buzë Mustaqe Showroom

Erosion Buzë Mustaqe Showroom

Vendndodhja:Prishtinë, Kosovë
Tipologji: Hapesire Ekspozimi
Autor|ët:Phi+Architects
Viti i realizimit:2025
Bashkëpunëtorët:Rinë Zogiani , Bernard Nushi
Në natyrë, erozioni nuk simbolizon shkatërrim, por një proces që zbulon atë që ka qenë aty për vite me radhë. I njëjti parim udhëheq edhe filozofinë projektuese të PHI+ Architects, ku çdo projekt synon të zbulojë thelbin e hapësirës përmes qartësisë konceptuale. E themeluar në vitin 2018 dhe e drejtuar nga arkitektët Dr. Sc. Rinë Zogiani dhe MSc. Bernard Nushi, studioja është bërë një emër i spikatur i arkitekturës bashkëkohore në Kosovë. E vlerësuar me BIG SEE Hospitality Design Award 2024 dhe me projekte të publikuara në platforma ndërkombëtare si ArchDaily, Archello, Amazing Architecture, Masilground Korea dhe BIG SEE, PHI+ Architects ka ndërtuar një praktikë ku arkitektura trajtohet si një mjet komunikimi, identiteti dhe përvoje. Krahas kësaj, studioja është ndër të parat që ka sjellë në Kosovë sistemin Light Steel Framing (LSF), duke integruar teknologji të avancuara dhe qasje të qëndrueshme në projektim. Koncepti i Erosion – Buzë Mustaqe buron nga dëshira për ta çuar hapësirën në gjendjen e saj më autentike, duke larguar çdo shtresë që nuk i shërben identitetit të saj. Frymëzimi vjen nga vetë procesi natyror i erozionit, i cili me kalimin e kohës nuk e zhduk materialin, por zbulon teksturën dhe karakterin e tij të vërtetë. Ky fenomen u përkthye në dizajn ku çarjet e kontrolluara dhe ekspozimi i materialeve të papërpunuara formësojnë një arkitekturë që nuk mbështetet vetëm te dekorimi.
Hapësira prej 310 m² organizohet si një kompozim ku materiali dhe drita ndërtojnë vetë përvojën hapësinore. Betoni i ekspozuar, çeliku i patrajtuar dhe suvatë e papërfunduara, ruhen në gjendjen e tyre natyrore, ndërsa drita depërton përmes sipërfaqeve të fragmentuara, duke theksuar teksturat dhe thellësinë e materializimit. Fasada e hapur krijon një dialog të drejtpërdrejtë me qytetin. Projekti krijon një analogji me industrinë e modës, ku shtresimet e panevojshme shpesh fshehin identitetin e vërtetë të dizajnit. Reduktimi bëhet mjeti për të rikthyer vëmendjen te thelbi. Për PHI+ Architects, Erosion – Buzë Mustaqe përfaqëson momentin kur filozofia e studios gjeti shprehjen e saj më autentike. Projekti shënoi kalimin nga arkitektura si përgjigje funksionale drejt arkitekturës si qëndrim kritik. Ai përcaktoi gjuhën projektuese të studios dhe mënyrën se si ajo ndërton identitete hapësinore përmes autenticitetit.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL