Vila RJ
Vila RJ
Vendndodhja:Qeha, Tiranë
Tipologji:
Banim
Autor|ët:AV Atelier
Viti i realizimit:2021-2023
Bashkëpunëtorët:Armand Vokshi Jani Toçi Kristiana Aliaj Migena Cela Soni Oka , Erald Elezi

Veprimtaria profesionale e Armand Vokshit zhvillohet në kryqëzimin e praktikës arkitekturore dhe kërkimit shkencor e akademik. Si Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe themelues i AV Atelier, ai ka ndërtuar një praktikë të konsoliduar në Shqipëri, Kosovë, Itali dhe vende të tjera evropiane, duke zhvilluar projekte që shtrihen nga arkitektura e banimit dhe ndërtesat publike deri te planifikimi urban. Kjo përvojë shumëplanëshe, e pasuruar nga botime shkencore, ekspozita dhe bashkëpunime ndërkombëtare, ka formësuar një qasje projektuese ku kërkimi teorik, ndjeshmëria ndaj kontekstit dhe qartësia kompozicionale ndërthuren në një gjuhë arkitekturore bashkëkohore. Kjo filozofi është vlerësuar edhe në arenën ndërkombëtare, përmes çmimeve si Iconic Award dhe BIG SEE Award, si dhe nominimit për Çmimin Mies van der Rohe.
E vendosur në peizazhin kodrinor të fshatit Qeha, në jug të Tiranës, Vila RJ zhvillohet si një arkitekturë që lind nga leximi i kujdesshëm i topografisë dhe karakterit natyror të vendit. Koncepti i projektit mbështetet në ndarjen e ndërtesës në dy volume të vendosura në kënd ndaj njëra tjetrës, një zgjidhje që buron nga nevoja për të balancuar privatësinë e banimit me marrëdhënien vizuale ndaj kompleksit sportiv fqinj. Në vend që t'i kundërvihet peizazhit, ndërtesa e përdor atë si element gjenerues të formës, duke ndërtuar një raport të natyrshëm ndërmjet arkitekturës, terrenit dhe horizontit.
Materialet e përzgjedhura me kujdes, e përforcojnë dialogun me kontekstin. Guri natyror, trajtimi i çative dhe përdorimi i teksturave të kujdesshme e integrojnë ndërtesën në peizazhin rural, duke respektuar genius loci-n e vendit dhe traditën ndërtimore të zonës. Në kontrast me këtë përmbajtje të jashtme, hapësirat e brendshme janë dizajnuar të jenë fleksibile dhe bashkëkohore, ku liria në përdorimin e materialeve dhe mobilimit krijon një atmosferë të ngrohtë e funksionale. Ky dualitet ndërmjet karakterit të jashtëm dhe përvojës së brendshme i jep projektit identitetin e tij të veçantë.
Për Avatelier, Vila RJ përfaqëson një moment të rëndësishëm në konsolidimin e filozofisë projektuese të studios. Projekti demonstron se kufizimet topografike dhe kushtet e kontekstit nuk janë pengesa, por burime që gjenerojnë kreativitet në organizimin hapësinor. Në këtë ndërhyrje, arkitektura nuk synon të tërheqë vëmendjen, por përmes ekuilibrit, përmasës, materializimit dhe marrëdhënies me peizazhin bëhet pjeë e pandashme e natyrës përreth ndërtesës. Pikërisht ky dialog shumë-palësh e shndërron Vilën RJ në një nga projektet më përfaqësuese të gjuhës arkitekturore të Avatelier.