Kreu

Mozaiku Tiranës

Mozaiku Tiranës

Mozaiku Tiranës

Vendndodhja:Tiranë
Tipologji: Muze
Autor|ët:Son Architects+
Viti i realizimit:2025
Bashkëpunëtorët:Ilir Bejleri Erind Bejleri Rio Kerpaçi Klodjana Demaj Ark.Rest. Olsi Plasa Ndërtues: FUSHA sh.p.k.
Arkitektura fiton kuptim kur arrin të krijojë një dialog të vazhdueshëm mes qytetit, njerëzve dhe kohës. Mbi këtë bindje, SON Architects+ zhvillon praktikën e saj në studion me seli në Tiranë, e cila e sheh projektimin si një proces kërkimi, bashkëpunimi dhe eksplorimi kritik. E mbështetur në një ekip multidisiplinar arkitektësh dhe projektuesish, studio zhvillon projekte të ndërhyrjeve urbane dhe arkitektonike me shkallë e kompleksitet të ndryshëm. Përmes një metodologjie të hapur për bashkëpunim me specialistë të disiplinave të ndryshme, SON Architects+ synon të krijojë arkitekturë që jo vetëm u përgjigjet nevojave të së tashmes, por kontribuon në zhvillimin e një identiteti urban të qëndrueshëm. Projekti për restaurimin dhe zhvillimin e Mozaikut të Tiranës lindi nga nevoja për të rivendosur një prej monumenteve më të rëndësishme arkeologjike të qytetit në qendër të jetës publike. Duke e trajtuar sitin jo si një relike të izoluar, por si pjesë aktive të strukturës urbane, ndërhyrja synon të krijojë një përvojë të re interpretimi dhe ndërveprimi me trashëgiminë kulturore. Itinerari i vizitës organizohet si një rrëfim hapësinor, ku arkitektura orienton vizitorin përmes historisë, duke krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë ndërmjet së kaluarës dhe përvojës bashkëkohore.
Koncepti arkitektonik buron nga vetë simbolika e mozaikut dhe interpreton motivin e lashtë të “Lules së Jetës” si element gjenerues të strukturës dhe organizimit hapësinor. Streha mbrojtëse, hyrja dhe ndërtesa e re nuk konkurrojnë me monumentin, por ndërtojnë një kornizë të përmbajtur që e mbron, e interpreton dhe e bën atë më të qasshëm për publikun. Arkitektura vepron me delikatesë, duke përdorur gjuhë bashkëkohore për të theksuar vlerat historike, ndërsa funksionet mbështetëse krijojnë kushtet për ruajtje, studim dhe ekspozim afatgjatë. Për SON Architects+, ky projekt përfaqëson një reflektim mbi rolin e arkitekturës në mbrojtjen dhe riaktivizimin e kujtesës kolektive. Ai demonstron se ndërhyrja në trashëgiminë kulturore nuk konsiston vetëm në konservimin fizik të monumentit, por në krijimin e një dialogu të ri ndërmjet historisë, qytetit dhe komunitetit. Në këtë ekuilibër ndërmjet respektit për të kaluarën dhe vizionit bashkëkohor, projekti sintetizon filozofinë e studios për një arkitekturë të përgjegjshme, të përmbajtur dhe të aftë të krijojë vlera kulturore që zgjasin në kohë.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL