Kreu

Shkolla “Naim Frashëri”

Shkolla “Naim Frashëri”

Shkolla “Naim Frashëri”

Vendndodhja:Durrës, Shqipëri
Tipologji: Edukim
Autor|ët:Metropolis , Endrit Marku
Viti i realizimit:2019-2025
Bashkëpunëtorët:Besnik Aliaj Sotir Dhamo Ledian Bregasi Keti Hoxha Kristiana Meço Emel Peterci Besnik Aliaj Sotir Dhamo Ledian Bregasi Keti Hoxha Kristiana Meço Emel Peterci
Për Metropolis, arkitektura është një proces kërkimi i vazhdueshëm, ku qyteti, peizazhi dhe shoqëria lexohen si pjesë të së njëjtës strukturë. Me bazë në Tiranë dhe veprimtari të shtrirë në rajonin e Ballkanit dhe Mesdheut, studio funksionon si një laborator i hapur idesh, ku ndërthuren arkitektura, urbanistika dhe kërkimi akademik. Kjo qasje shumëdisiplinore, e pasuruar nga bashkëpunimi mes profesionistëve dhe studiuesve, i mundëson studios të zhvillojë projekte që trajtojnë kompleksitetin e territorit me ndjeshmëri, qartësi konceptuale dhe vizion afatgjatë. Endrit Marku është pjesë e studios si arkitekt dhe pedagog me përvojë në shkallë të ndryshme të procesit të projektimit. Ai është gjithashtu i njohur si artist që transformon peizazhet urbane në laboratorë të reflektimit pamor. Ndërtesa e shkollës “Naim Frashëri” është e vendosur në një lagje të Durrësit të formësuar përpara viteve '90. Projekti i shkollës ndërtohet mbi idenë e kufirit si element organizues i hapësirës urbane. Ndërtesa artikulohet si një vijë që ndërmjetëson marrëdhënien mes qytetit dhe lagjes, mes sheshit të stadiumit dhe blloqeve të banimit, mes zonave të hapura dhe densitetit urban. Më shumë sesa një ndërtesë e izoluar, ajo vepron si një element lidhës që i jep vazhdimësi strukturës së qytetit dhe krijon një identitet të ri për mjedisin përreth.
Kompozimi arkitektonik zhvillohet përmes alternimit të volumeve masive dhe hapësirave transparente, duke reflektuar organizimin e funksioneve të brendshme. Hapësirat e mësimit ndërtojnë pjesën më kompakte të ndërtesës, ndërsa qarkullimet vertikale dhe horizontale artikulohen si elemente të tejdukshme që lejojnë depërtimin e dritës dhe krijojnë një përvojë dinamike të lëvizjes. Fasada, me tonalitetet që evokojnë ngjyrën e tullës dhe kujtesën materiale të Durrësit, krijon një dialog të ndjeshëm me historinë e qytetit, ndërsa kullat transparente të shkallëve i japin ndërtesës një ritëm të ndryshueshëm, ku gjallëria e jetës shkollore bëhet pjesë e shprehjes arkitektonike. Për Metropolis, ky projekt është një dëshmi e metodologjisë së suksesshme të projektimit që studio ndjek. I zhvilluar përmes një procesi të pandërprerë dizajnimi, ai ruan një koherencë të plotë ndërmjet skicës së parë dhe realizimit përfundimtar. Vizatimi nuk është thjesht një mjet përfaqësimi, por një instrument kërkimi dhe reflektimi, përmes të cilit ideja evoluon gradualisht nga intuita fillestare drejt modelimit të saktë të hapësirës. Në këtë vazhdimësi, projekti sintetizon filozofinë e studios për një arkitekturë që lind nga vëzhgimi, zhvillohet përmes kërkimit dhe materializohet me koherencë e ndjeshmëri ndaj vendit.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL