Kreu

FRAGMENTE TË ARKITEKTURËS BASHKËKOHORE SHQIPTARE

Jurgen Memisha(Arkitekt)

SQUARE 21

Vendndodhja:Tiranë - Shqipëri
Tipologji: Banim, Shërbime
Autor|ët:Jurgen Memisha
Viti i realizimit:2017-2021
Bashkëpunëtorët:Dhimitri Papa
Fotografia: Leonit Ibrahimi
SQUARE 21
Objekti ndodhet në jugperëndim të qytetit të Tiranës, në një prej rrugëve kryesore të tij, “Rruga e Kavajës”. Ky është një kompleks i ndërtuar në gjashtë faza, i përbërë nga disa objekte, të cilat janë ndër më të rejat në kryeqytet dhe arrijnë një lartësi maksimale prej 11 katesh. I vendosur pranë qendrës së Tiranës, ky kompleks konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë, me një sipërfaqe ndërtimi prej 120,000 m2 , i kthyer në një pikë referimi, duke ofruar për banorët një përvojë unike dhe moderne. Koncepti i Square 21 vjen si një shkrirje e të gjithë elementëve të ndërtimit dhe tendencave të arkitekturës moderne gjatë 30 viteve të fundit në Shqipëri, duke pasqyruar kontekstin që është krijuar gjatë kësaj kohe. Ai sjell forma e trajtime arkitektonike të ndërtuara në vite, si një volum masiv i vetëm, ku shumëllojshmëria dhe ndërthurja e fasadave të ndryshme shprehen qartë përmes kombinimit të ngjyrave, materialeve të veshjes dhe gjelbërimit vertikal. Nga pikëpamja funksionale, ky kompleks ndërlidh së bashku banimin, shërbimet, terrenet sportive dhe mjediset e zyrave. Skema klasike me një oborr të brendshëm ofron përkufizimin e mureve urbane, me fasadat aktive që ndërveprojnë mirë me “Rrugën e Kavajës”, njëkohësisht siguron dhe privatësinë e nevojshme për banorët. Po ashtu, është trajtuar me kujdes në peizazhin përreth, duke krijuar një rezidencë të veçantë banimi. Square21 nuk është thjesht një ndërtesë, është një dizajn i krijuar për qytetin dhe banorët e tij.
Fotografia: Leonit Ibrahimi
Fotografia: Leonit Ibrahimi
Arkitektët në Xplan Studio kanë projektuar një objekt që të përshtatet me peizazhin e qytetit dhe t’u sigurojë banorëve përvojën më të mirë të mundshme të jetesës. Ai është një dëshmi e vërtetë e shpirtit krijues të qytetit dhe angazhimit të arkitektëve për t’iu ofruar banorëve jo vetëm një përvojë jetësore të rehatshme, por edhe të qëndrueshme. Objekti i stilizuar dhe trajtuar me një kujdes të veçantë arkitektonik është sjellë ndryshe, duke qenë një objekt ndryshe dhe unik në llojin e vet, të realizuar deri më tani. Besojmë se Square21 paraqet një trofe të materializuar të përfundimit të një epoke 30-vjeçare të ndërtimit në Tiranë. Elementet që i mundësuan Square 21 këtë sukses janë të thjeshtë, të pastër, të rregullt, por nga ana tjetër të guximshëm dhe dinamikë. Nuk ndodh shpesh që të ndeshesh brenda qytetit me fasada të ndërtesave në ngjyrë të zezë, me fasada të gjelbëruara edhe me bimë kacavjerrëse. Asnjë ndërhyrje në objekt nuk është e pa qëllimtë, duke filluar nga kombinimi i ngjyrave, e bardhë, e zezë dhe gri si nuanca që balancojnë njera-tjetrën dhe përdorimi i të verdhës si ngjyrë që “zgjon” shikimin. Gjelbërimi si element kyç, që përtej të gjitha përparësive të tjera, ndikon pozitivisht në psikologjinë e njerëzve, është i pranishëm kudo në horizontalitet dhe vertikalitet. Fasadat e trajtuara në forma të ndryshme sjellin dinamizëm dhe shmangin monotoninë. Kjo mënyrë e trajtimit të projektit krijon marrëdhënie të re urbane mes ndërtesave, kontekstit dhe banorëve, një koncept kyç frymëzues që dialogon me zonën dhe krijon një lagje ndërvepruese, sikurse duhet të jetë.

previous

next

Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.

Projektuar dhe zhvilluar nga gridcoding.com

AL