“Shtëpia me gjak në mure”
“Shtëpia me gjak në mure”
Vendndodhja:
Tipologji:
Shtëpi Muze
Autor|ët:Alfa-Product architecture
Viti i realizimit:2023-2025
Bashkëpunëtorët:Arton Qorri, Ardita Shaqiri, Safete Dauti , Ragip Behrami, Gazmend Krasniqi Berat Hasanaj
Etrit Qorri “Foto Agushi”
Ka vende ku arkitektura nuk ndërtohet për të lënë gjurmën e saj, por për të ruajtur gjurmët që historia ka lënë mbi to. Në këto hapësira, çdo ndërhyrje kërkon përulësi, sepse misioni i saj është ta mbrojë kujtesën, ta bëjë të prekshme dhe t'ua përcjellë brezave që vijnë. Këtë përgjegjësi e ka pranuar dhe zhvilluar Alfa Product, studio projektuese e udhëhequr nga arkitekti Arton Qorri, e specializuar në projektim arkitektonik, dizajn të hapësirave të brendshme dhe zhvillimin e projekteve komplekse të banimit, komerciale dhe urbanistike. Përmes një qasjeje profesionale e cila ndërthur funksionin me estetikën, studioja zhvillon projekte ku çdo zgjidhje arkitekturore formësohet nga konteksti, memoria e vendit dhe përgjegjësia ndaj përdorimit të tij.
Koncepti i "Shtëpisë me Gjak në Mure", shtëpi-muze kushtuar Masakrës së Poklekut, u ngacmua nga bindja se kujtesa historike ruhet më mirë kur vendi vazhdon të flasë me gjurmët e tij. Frymëzimi buron nga vetë ndërtesa dhe nga pesha e ngjarjeve që ajo dëshmon. Nën kurimin arkitektonik të Arton Qorrit, projekti u zhvillua mbi parimin e ndërhyrjes minimale, duke ruajtur muret, dëmtimet dhe materialet origjinale, si elemente bartës të memories kolektive. Çdo detaj i shtuar u mendua si ndërhyrje që e respekton gjendjen egzistuese, në mënyrë që vizitori të mos përballej me një ekspozitë të ndërtuar, por me një përvojë autentike që e vendos përballë historisë.
Etrit Qorri “Foto Agushi”
Arkitektura e këtij muzeu zgjedh ta lërë vetë hapësirën të rrëfejë historinë. Muret, gjurmët dhe heshtja e tyre bëhen pjesë e narrativës, ndërsa ndërhyrja arkitekturore krijon kushtet që kjo dëshmi të ruhet dhe të kuptohet nga brezat e ardhshëm. Në këtë mënyrë, shtëpia shndërrohet në një vend reflektimi, edukimi dhe kujtese, ku arkitektura shërben si ndërmjetëse mes historisë dhe vizitorit.
Për Alfa Product, ky projekt përfaqëson një nga përvojat më domethënëse të punës profesionale. Ai dëshmon se arkitektura mund të mbajë një përgjegjësi që shkon përtej ndërtimit, duke ruajtur identitetin e një vendi dhe dinjitetin e kujtesës së tij. "Shtëpia me Gjak në Mure" mishëron bindjen e studios se vlera e një ndërhyrjeje nuk qëndron gjithmonë te ajo që krijon, por te aftësia për të ruajtur me ndjeshmëri, respekt dhe përgjegjësi gjurmët që historia ka lënë në hapësirë.