Autopasion
Autopasion
Vendndodhja:Autostrada Tiranë-Durrës
Tipologji:
Kompleks Industrial
Autor|ët:StudioArch4
Viti i realizimit:2019
Bashkëpunëtorët: StudioArch4 Euroterma

Arkitektura lind në çastin kur një ide koncepton ekuilibrin mes imagjinatës dhe realitetit, mes vizionit dhe përgjegjësisë ndaj vendit. Mbi këtë filozofi ndërton rrugëtimin e saj StudioArch4, një studio arkitekture me seli në Tiranë, e themeluar në vitin 2011 nga një grup arkitektësh të rinj që besojnë se çdo projekt është një mundësi për të eksploruar dhe për të krijuar vlera që i rezistojnë kohës. Veprimtaria e StudioArch4 shtrihet në fushën e arkitekturës, urbanistikës, inxhinierisë dhe menaxhimit të ndërtimit, ku çdo projekt zhvillohet përmes një procesi që ndërthur kërkimin, inovacionin teknologjik dhe një lexim të ndjeshëm të kontekstit në një gjuhë arkitektonike bashkëkohore.
Projekti i kompleksit industrial Autopasion, i vendosur përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, trajton një program kompleks ku bashkëjetojnë funksione të ndryshme, si hapësirat e ekspozimit, hapësirat e zyrave dhe ato të magazinimit. Koncepti arkitektonik mbështetet në ndarjen e qartë të këtyre funksioneve në pesë volume të artikuluara, të cilat krijojnë një ansambël të unifikuar, por ruajnë njëkohësisht autonominë e secilit komponent. Hapësirat e ekspozimit pozicionohen në vijën e parë të aksit rrugor si elementi përfaqësues i kompleksit, ndërsa funksionet mbështetëse organizohen në volume më të përmbajtura, duke reflektuar hierarkinë funksionale të të gjithë kompleksit.
Arkitektura e fasadës ndërtohet mbi kontrastin ndërmjet transparencës dhe masivitetit. Volumi kryesor karakterizohet nga sipërfaqe të mëdha xhami dhe një strukturë elegante metalike, që i japin ndërtesës një identitet të fuqishëm urban dhe një prani të dallueshme përgjatë autostradës. Në të kundërt, godinat e tjera trajtohen me panele të parapërgatitura betoni dhe hapje lineare ku ritmi dhe proporcioni shprehin karakterin industrial të kompleksit pa humbur koherencën estetike.
Vlera e këtij projekti qëndron në aftësinë për të balancuar unitetin dhe fleksibilitetin. Autopasion është konceptuar të funksionojë si një organizëm i vetëm, por njëkohësisht lejon funksionimin e pavarur të secilit komponent, duke iu përgjigjur nevojave të ndryshme të zhvillimit dhe menaxhimit në të ardhmen. Pikërisht ky ekuilibër ndërmjet shkallës, funksionit dhe identitetit arkitektonik e bën projektin një dëshmi të qasjes bashkëkohore së StudioArch4, ku arkitektura nuk është vetëm organizim i hapësirës, por një instrument që i jep formë efikasitetit, fleksibilitetit dhe vizionit afatgjatë.