Koncepti i ndërtimit të “Qendrës së Shkollave të Mesme”,
integron një gamë të gjerë funksionesh specifik në një
strukturë të përbashkët. Kompleksi i ndërtuar është
konceptuar si integrim i tri programeve shkollore, gjimnazit klasik, shkollës së mjekësisë dhe shkollës së ekonomisë, duke i bërë bashkë në një ndërtesë të vetme.
Ky konceptim promovon shfrytëzimin efikas të hapësirave dhe rritjen e komunikimit ndërmjet përdoruesve të
ndryshëm të ndërtesës.
Forma e sheshit të ndërtimit, orientimi i tij, kufizimet
me rrugën dhe lumin si dhe peizazhi i fshatit, përbëjnë
faktorë që kanë çuar drejt një gjurme më të ngjeshur
të ndërtesës. Vendosja e hapësirave të përbashkëta
si biblioteka, kantina dhe salla e sporteve në zemër të
ndërtesës, ka krijuar qendrën ku gërshetohen funksionet e ndryshme, të cilat nxisin ndërveprimin dhe lidhjen
në mes të nxënësve dhe personelit mësimor, duke promovuar bashkëpunimin dhe ndjenjën e komunitetit në
shkollë.
Përdorimi i palestrës, si element për të kaluar në të dy
krahët kryesorë të ndërtesës, është një zgjedhje e zgjuar dizajni që ndihmon në integrimin e saj me pjesën
tjetër të kompleksit.
Fotografia: Leonit Ibrahimi
Fotografia: Leonit Ibrahimi
E fokusuar në fleksibilitetin, përshtatshmërinë, përdorimin e mjedisit për orët e mësimit jashtë dhe brenda tij dhe efikasitetin e energjisë, kjo ndërtesë krijon një
mjedis shumë të përshtatshëm për kërkesat e të rinjve
të sotëm, duke bërë të mundur integrimin më me lehtësi të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit,
si edhe zhvillimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies, ku secili mësues mund të ndryshojë sipas
nevojave madhësinë ose strukturën e klasave.
“Qendra e Shkollave të Mesme” shërben më shumë sesa
vetëm një shkollë. Dizajni i saj, i cili përmbush kërkesat e
efikasitetit të energjisë si një tregues i përgjegjshmërisë
ndaj mjedisit, e kthen atë në një qendër komunitare,
e cila mund të përdoret për shumë veprimtari sociale
dhe kulturore të ndryshme, duke u bërë një shembull
frytdhënës sesi dizajni arkitektonik mund të kontribuojë
në ngritjen e cilësisë së jetës së një komuniteti dhe të
përmirësojë mjedisin e mësimdhënies.
Këtu mund te ridrejtoheni në faqet e internetit për të blerë apo porositur vëllimin tonë të parë ose të dytë. Mos e humbisni këtë mundësi për të pasuruar njohuritë tuaja për projektet më të fundit arkitekturore në Shqipëri dhe Kosovë.