Sejaca House
Sejaca House
Vendndodhja:Sejacë, Kosovë
Tipologji:
Shtëpi Vikendi
Autor|ët:Arbër Sadiki, Gëzim Sadiku
Viti i realizimit:2025
Bashkëpunëtorët:Vehab Agushi

Çdo vend ka një histori që nuk mund të lexohet në libra, por vetëm duke vëzhguar peizazhin përreth. Detyra e arkitektit është ta dëgjojë atë histori dhe ta vazhdojë përmes hapësirës së ndërtuar. Ky është parimi mbi të cilin është zhvilluar puna e G&A Architects, studio e themeluar nga Gëzim Sadiku dhe Arbër Sadiki, e cila prej më shumë se njëzet vitesh realizon projekte në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera të Evropës. Përvoja ndërkombëtare e kombinuar me ndjeshmërinë ndaj identitetit lokal kanë formësuar një qasje ku çdo ndërhyrje synon të krijojë marrëdhënie të natyrshme ndërmjet arkitekturës, njeriut dhe peizazhit.
“Sejaca House” qëndron krenare e vendosur mbi një kodër të gjelbër dhe shfaqet si një vazhdimësi e relievit. Kompozimi i saj mbështetet në një gjeometri të thjeshtë, ku tulla dhe betoni i kuq krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me ngjyrat e tokës dhe karakterin e peizazhit përreth. Fasadat e perforuara filtrojnë dritën dhe ajrin, duke krijuar një ritëm të qetë ndërmjet masës dhe zbrazëtisë, ndërsa ballkoni i sipërm zgjatet drejt horizontit si një platformë soditjeje mbi malet dhe fushat e zonës. Çdo ndërhyrje është reduktuar, duke lejuar që vetë vendi të mbetet protagonisti i arkitekturës.
E njëjta logjikë vazhdon në hapësirat e brenshme, përmes një organizimi të lirë dhe materialeve të shprehura me sinqeritet. Sipërfaqet prej tulle dhe betoni mbeten të lexueshme, duke krijuar një atmosferë ku karakteri i hapësirës ndërtohet nga drita, përmasat dhe tekstura, e jo nga dekorimi. Zona e ditës lidhet natyrshëm me peizazhin përmes hapjeve të mëdha, ndërsa mobilimi ruan qetësinë vizuale duke i lënë vend marrëdhënies mes banorit dhe natyrës. Pemët ekzistuese, lulet spontane dhe gjelbërimi përreth nuk shërbejnë si sfond, por si pjesë e pandashme e përjetimit të kësaj arkitekture.
Për G&A Architects, kjo shtëpi përfaqëson një manifest të mënyrës së tyre të projektimit. Ajo dëshmon se bashkëkohorja nuk ndërtohet duke mohuar kujtesën e vendit, por duke e interpretuar atë me mjete të reja. Tulla e kuqe bëhet bartëse e vazhdimësisë kulturore, ndërsa gjuha e pastër vëllimore shpreh një arkitekturë që nuk kërkon të imponojë praninë e saj, por të fitojë natyrshëm përkatësi. Kjo vepër sintetizon bindjen e studios se ndërtesat më jetëgjata janë ato që arrijnë të bëhen pjesë e peizazhit, duke lënë pas jo vetëm një formë të ndërtuar, por edhe një kujtesë të re për vendin.