Hillside Residence
Hillside Residence
Vendndodhja:Mjullë Bathore, Tiranë
Tipologji:
Kompleks Vilash
Autor|ët:Artech Studio
Viti i realizimit:2020-2023
Bashkëpunëtorët:Genti Shtëmbari, Arbër Habilaj Bledar Ceka, Krenar Çaushi

Rrugëtimi i Artech Studio është ndërtuar mbi bindjen se çdo projekt përfaqëson një mundësi për të interpretuar qytetin dhe peizazhin në një mënyrë të re. E themeluar në vitin 2016 nga Arbër Habilaj dhe Gent Shtembari, studio nisi veprimtarinë me projekte në shkallë të vogël, duke synuar që çdo ndërhyrje të kontribuonte në formësimin e siluetës urbane. Përmes një zhvillimi të qëndrueshëm dhe një kërkimi të vazhdueshëm mbi cilësinë arkitektonike, studio është zgjeruar drejt projekteve me kompleksitet dhe ndikim gjithnjë e më të madh. Sot, Artech Studio përfaqëson një zyrë të mirë-konsoliduar të arkitekturës në Shqipëri, me një portfolio që ka luajtur rol të rëndësishëm në transformimin e siluetës bashkëkohore të qyteteve.
I vendosur mbi një kodër me panoramë të hapur drejt jugut dhe vargmaleve përreth, Kompleksi Hillside Residence, lindi nga sfida për të harmonizuar potencialin e peizazhit me kufizimet e parcelës ku janë vendosur vilat. Forma lineare e truallit rrezikonte të kufizonte pamjet dhe të cenonte privatësinë ndërmjet njësive, duke e bërë vetë topografinë pikënisjen e konceptit arkitektonik. Në vend që t'i nënshtrohej kufizimeve të vendit, projekti i interpretoi ato si elemente gjeneruese të formës, duke krijuar një kompozim dinamik që orienton secilën vilë drejt horizontit dhe peizazhit natyror.
Arkitektura zhvillohet përmes një transformimi të kujdesshëm të volumit, ku secila vilë artikulohet sipas pozicionit të saj në parcelë. Kjo strategji garanton orientim optimal, ndriçim natyror dhe një marrëdhënie të balancuar ndërmjet hapjes ndaj peizazhit dhe mbrojtjes së privatësisë. Organizimi i hapjeve, tarracave dhe elementeve arkitektonike me vija të drejta dhe të pastra, ndërtojnë një ritëm të përbashkët për të gjithë kompleksin, ndërsa forma e secilës njësi përshtatet me kushtet specifike të vendit, duke krijuar një identitet të unifikuar pa rënë në përsëritje tipologjike.
Ky projekt përfaqëson një moment të rëndësishëm në filozofinë projektuese të Artech Studio, duke dëshmuar se koherenca arkitektonike nuk arrihet përmes uniformitetit, por përmes aftësisë për t'iu përgjigjur veçantisë së çdo situate. Kompleksi sfidon modelin e përsëritjes së një tipologjie të vetme, duke zhvilluar një arkitekturë ku çdo vilë është rezultat i një dialogu të drejtpërdrejtë me kontekstin. Në këtë ekuilibër ndërmjet formës, peizazhit dhe mënyrës së banimit, projekti sintetizon bindjen e studios se arkitektura më e mirë është ajo që krijon identitet, pa humbur kurrë lidhjen me vendin ku ndërtohet.